February 19 @ 6:00 pm - 8:00 pm
Këtë vit kemi menduar t’i fillojmë takimet tona të përmuajshme Bytes & Bools me një temë interesante libri: “Biografitë e gjenive të biznesit të ICT në një libër… dhe e ardhmja që na pret.”
Në këtë takim do të kemi kënaqësinë të diskutojmë librin e Prof. Adrian Civicit “Gjenitë e Biznesit” (Vol. I, II), duke u ndalur posaçërisht te biografitë e gjenive të biznesit të ICT-së, që nga Bill Gates e deri te Sam Altman, për të diskutuar botën dhe shoqërinë që kanë ndryshuar dhe po e ndryshojnë vazhdimisht.
Këtu nuk janë thjeshtë 48 biografi të njerëzve më të shquar të biznesit në mbarë botën, por janë 48 histori dhe modele të cilat ngacmojnë imagjinatën e çdokujt që do të futet në botën e madhe të tregjeve. Në këtë libër modelet vijnë me ulje-ngritjet e tyre, me raportet e ndërlikuara me tregun dhe shtetin, me filozofinë e të bërit biznes dhe me mendësinë sesi pengesat mund të kthehen në avantazhe dhe qëndrueshmëria përmes një sjellje elastike mbetet çelësi kyç. Autori ka përzgjedhur 48 gjeni të botës së biznesit, që nga Rrokfeleri, Andrew Carnegie, Stiv Xhobsi, Bill Gates, Elon Musk apo Sam Altman; – parë edhe nga filtri i kontekstit tonë, ku ëndrrat dhe sfidat; guximi dhe mendësia, strategjia dhe inovacioni mbeten elemente të panegociueshëm për të pasur sukses.
Në takim do të jetë i pranishëm Prof. Civici për të realizuar së bashku një bashkëbisedim interesant mbi ndikimin që biznesi, veçanërisht ICT-ja, po shpërfaq mbi profesionet dhe shoqërinë ku jetojmë.

